Osmani diskuton me Prattipatin për "hapat drejt konstituimit të plotë" të Kuvendit

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 18:50 | Politikë

Osmani diskuton me Prattipatin për "hapat drejt konstituimit të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka diskutuar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, për hapat drejt përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Seanca konstituive për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e shkurtit ka nisur më 15 prill, por edhe nuk është përmbyllur.

“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, si dhe hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të plotë të Kuvendit”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Në të kaluarën, Prattipati ka thënë se ngërçi politik po i shkakton humbje të mundësive për Kosovën, ndërkaq Osmani e ka vlerësuar si “urgjencë shtetërore” konstituimin e Kuvendit.

Pas muajsh bllokadë, më 26 gusht deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje në postin e kryetarit të Kuvendit.

Më pas, përmes një votimi në pako u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, votimi për dy nënkryetarët e komuniteteve joshumicë, me kërkesë të deputetit Elbert Krasniqi, u bë i ndarë – e jo në pako, siç ishte bërë në të kaluarën.

Kështu, nga radhët e komuniteteve joserbe, Emilija Rexhepi u zgjodh në postin e nënkryetares. Por, çështja ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit të pestë, nga radhët e komunitetit serb.

Lista Serbe – partia e serbëve që ka fituar nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb – propozoi Sllavko Simiçin për postin e nënkryetarit. Më 26 gusht, ai nuk arriti të merrte 61 votat e nevojshme.

Pas kësaj, kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha, tha se emri i Simiçit nuk mund të hidhej në votim, duke u thirrur në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Më pas ai, i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të Partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.

As Rashiç nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit më 26 gusht dhe më pas më 28 gusht, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.

Seanca konstituive do të vazhdojë paraditen e 30 gushtit.

Njohësit e ligjeve në Kosovë kanë ngritur pikëpyetje për ligjshmërinë e këtij veprimi, derisa Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shortit.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit do të hapej rruga për zgjedhjen e ekzekutivit të ri të Kosovës./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos