
Kroacia do t’i dhurojë Kosovës, 10 mijë doza të vaksinave anti-covid. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm, Gordan Grliç Radman, i cili gjendet për vizitë në Prishtinë.
Zyrtari i qeverisë së Zagrebit shprehu mbështetje për procesin e dialogut me Serbinë dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa foli dhe pak shqip teksa përshëndeti homologen, Donika Gërvalla, duke thënë “Faleminderit Donika!”.
“Republika e Kroacisë e përkrah dialogun Kosovë-Serbi në dialogun bilateral, me ndërmjetësimin e Lajçak dhe me ndihmën e administratës amerikane, u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen maksimalisht për një zgjidhje të pranueshme. Kroacia gjithashtu është kundër çdo përpjekjeje që do të çonte deri te ndryshimi i kufijve në hapësirat e Evropës Juglindore.
Brenda BE-së, Republika e Kroacisë do të angazhohet tek ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që edhe këto vende ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Kam informuar ministren për takimin e radhës të Këshillit për Punë të Jashtme që do të mbahet në javën e ardhshme në Bruksel, Kroacia edhe njëherë do të shpreh mbështetjen e saj për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Evropën Juglindore, po ashtu Republika e Kroacisë jep mbështetjen e plotë për liberalizim të vizave në mes Kosovës dhe BE-së”, u shpreh ministri i Jashtëm kroat. (A2 Televizion)