
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar për rikthimin në detyrë të një mësuesi në Berat, i cili sipas saj, është dënuar për pedofili në vitin 2013.
“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona”, shkruan Kushi në Facebook.
Ministrja njofton më tej, se ky person është larguar menjëherë nga puna dhe se sipas saj, do të mbajnë përgjegjësi edhe personat që e kanë rikthyer atë në shkollë.
“Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.
Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cenon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.
Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi çdo rast që cenon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”, mbyllet reagimi i Kushit.
Më herët, PD, me anë të Ina Zhupës, reagoi për këtë rast, duke e cilësuar si kriminale sjelljen e institucioneve arsimore në pranimin e një mësuesi me rekorde si i dënuar për pedofili dhe ngacmime seksuale.
“Ndërkohë që çdo ditë po dëgjojmë raste të tmerrshme me abuzimin me fëmijët, të tilla vendimmarrje janë shenja e pastër sa seriozisht e kane në parandalimin e këtyre ngjarjeve monstruoze! Ministrat nuk kanë detyrë të shprehen thjesht keqardhje kur ndodhin rastet por të bëjnë punën e tyre që ti shmangnin abuzimin me fëmijët.
Si deputete, anëtare e komisionit të edukimin kërkoj publikisht nga ministria e arsimit të marr masa për largimin e tij nga puna në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” të qytetit të Beratit. Si dhe të marr masa kontrolli që asnjë me këto rekorde të mos jetë aktualisht i punësuar në shkollat e fëmijëve shqiptar dhe mos ketë asnjë mundësi punësimi në të ardhmen”. (A2 Televizion)