
Në konferencën për mediat me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi kryeministri Edi Rama falenderoi dy zyrtarët e BE-së për mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në bllok.
Rama theksoi se Shqipëria nuk është më e fundit në “trenin e integrimit”, por tashmë kryeson në rajon.
“Mirënjohje për mbështetjen që kemi marrë prej jush në një proces që ka qenë tejet i vështirë dhe në një periudhë kohe të shkurtër. Shumë i padrejtë ndaj Shqipërisë, për arsye të konjukturave politike që tashmë që janë kapërcyer. Na keni dëshmuar respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e çelur, e drejtë dhe jo pa vështirësitë e veta. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënie strategjike.”
Si arritje të Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian, kreu i qeverisë përmendi ecurinë e Reformës në Drejtësi. Sipas Ramës, drejtësia e re ka nisur tashmë të japë fryte domethënëse.
“Është fakt që drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, po godet njerëz, individë të lidhur me pushtetin apo jo. Por këta të parët kanë më shumë rëndësi se të tjerët, si kurrë në historinë e këtij vendi. Shqipëria, është e vetmja në rajon që e ka hedhur këtë hap. Nuk di vend tjetër ku drejtësia godet, pa parë majtas e djathtas, por drejt,” theksoi Rama.
Po ashtu, kryesocialisti përsëriti qëndrimin e mbajtur me të vetët se në momentin që do të kenë punë me drejtësinë, duhet të gjejnë një avokat dhe të mbrohen. Cilido qoftë, nëse ka punë me drejtësinë, duhet të marrë avokat.
Po ashtu, Rama i bëri thirrje BE-së që të mbështesë Ballkanin Perëndimor financiarisht për të përballuar sfidat e kohës.
“Është koha që BE të bëjë një hap të kosniderueshëm para...Në aspektin financiar, Ballkani nuk mund t’u bëjë ballë gjithë këtyre goditjeve nga koha kur po jetojmë.” (A2 Televizion)