
“Nuk ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme”. Këto ishin fjalët me të cilat u përgjigj Sali Berisha kur u pyet mbi marrëdhëniet e tij me shefen e misionit vëzhgues të ODIHR, Audrey Glover, një njohje e vjetër e ish-kryeministrit, që në të shkuarën nuk i ka kursyer kritikat ndaj zgjedhjeve të menaxhuara prej tij.
Pritshmëritë e Berishës për procesin e 14 majit duket të jenë pozitive, duke ngritur flamujt e bardhë ndaj shefes së misionit vëzhgues.
“Ajo që mund të them unë se Glover, në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport profesional. Unë e kam vlerësuar raportin e saj. Ai raport u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria dhe nga eksponentë ndërkombëtarë. Ai ishte raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë”.
Vijoi denoncimin ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, për të cilën thotë se synon asgjësimin e PD-së dhe i dërgoi asaj një paralajmërim.
“Kjo ka përdorur pushtetin që i jep përfaqësimi i SHBA-së si ambasadore, kundër opozitës demokratike, properëndimore të një vendi anëtar të NATO-s. E paralajmëroj se ndërhyrja në fushatë elektorale është krim elektoral. Edhe në ligjet e vendit të saj, edhe në ligjet e vendit tim”, theksoi Berisha.
Takimet e zhvilluara në bashki të ndryshme ku ka prezantuar kandidatët, e bëjnë me shpresë për ndryshimin që thotë se po vjen.
“Një përpjekje e turpshme, primitive për të goditur, për të parandaluar rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, po merr përgjigjen më të fuqishme nga të rinjtë, të rejat, burrat, gratë dhe qytetarët shqiptarë në mbarë vendin. Këto flasin për një rikthim të paprecedent të Sali Berishës dhe PD-së. Ky fenomen ka tmerruar Edi Ramën”.
Thirrjet dhe njoftimet për rritje të pagave në prag të zgjedhjeve, Berisha i konsideron një akt të turpshëm nga një kriminel elektoral, referencë të cilën ia faturon Edi Ramës. (A2 Televizion)