
Qeveria shqiptare miratoi reformën e re të pagave për punonjësit shtetëror. Projektligji rishikon të gjithë strukturën duke nisur që nga Presidenti i Republikës e deri te specialisti më i thjeshtë. “Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot në 900 Euro”. Të parët që përfitojnë janë punonjësit e arsimit.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lek apo t'u themi mësuesve në arsimin e mesëm që paga e tyre do shkojë mbi 1 milion lekë, pra mbi 100 mijë lekë. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë.”
Pedagogët do të kenë një rritje page me 20%, që mund të shkojë deri në 30% falë autonomisë universitare. Përfitojnë gjithashtu Forcat e Armatosura dhe i gjithë sistemi i sigurisë.
“Pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lekë”.
Bluzat e bardha do të kenë një tjetër shtesë të pagës.
“Eshtë kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermierëve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë.”
Zbatimi i skemës së re parashikohet të bëhet në dy faza. Me hapin e pare, pas miratimit të projektligjit në Kuvend, përfitojnë mësuesit, mjekët, infermierët dhe punonjësit e sigurisë.
“Hapi i dytë do të jetë prillin e ardhshëm ku do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”.
Rama mohoi se kjo nuk po bëhet për të ndikuar në zgjedhjet e 14 majit, pasi ai tha se për të fituar nuk i duhet të rrisë pagat. (A2 Televizion)