Misteri i kandidatëve të Alibeaj, “vulosi” 16 emra për kryebashkiakë, lista vetëm për 54 këshilla

Nga A2 CNN
4 Prill 2023, 17:24 | Politikë
Misteri i kandidatëve të Alibeaj, “vulosi” 16 emra

Ka kaluar më shumë se një javë nga skadimi i afatit të regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e 14 Majit dhe Enkelejd Alibeaj ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare sa kandidatë ka depozituar pranë KQZ. As institucioni që menaxhon procesin nuk ka bërë publike të dhënat, por A2 CNN ka mësuar se bëhet fjalë për 16 kandidatë për kryetarë, kryesisht në bashki të vogla. Edhe fushëbeteja tjetër e këshillave bashkiakë është lënë e paplotë pasiAlibeaj ka paraqitur lista me kandidatëve vetëm në 54 nga 61 bashki.

Vulën që mori me vendim gjykate për drejtimin e PD-së, Enkelejd Alibeaj e përdori për të sigluar kandidaturat në vetëm 16 bashki.

Ky është numri i kërkesave të mbërritura pranë KQZ-së nga ana Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 majit, numër i cili mbulon vetëm ¼ e bashkive në vend. Ndonëse nuk është zyrtarizuar as nga Alibeaj e as nga KQZ, A2 CNN ka mësuar listën e bashkive ku bie në sy se me përjashtim të Tiranës dhe Fierit, njerëzit e Alibeajt kandidojnë kryesisht në ato që njihen si bashki të vogla si Këlcyrë, Kamëz, Gjirokastër, Dibër, Sarandë, Finiq, Dimal, Patos, Tepelenë, Mallakastër, Vau-Dejës, Patos, Kuçovë e Mirditë.

Vulën e mbetur në dorë, pa pasur mundësinë ta përdorë në pjesën më të madhe të vendit, kryetari i komanduar e justifikoi me betejën brenda partisë. 

Simboli i pamundësisë së Alibeajt për të gjetur njerëz është Tirana, ku katapultoi Roland Bejkon nga Gjirokastra në kryeqytet. Dëshpëruese është situata edhe me listat për këshillat bashkiakë. Në institucionin që menaxhon zgjedhjet kanë mbërritur vetëm 54 lista nga 61 që duhej të ishin. Pavarësisht se mori vulën, logo e PD së Alibeajt do të mungojë në fletët e votimit të 7bashkive, si: Krujë, Skrapar, Vorë, Devoll, Pustec, Roskovec dhe Dropull. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos