
Mjeku Petrit Vargu, i shkarkuar nga detyra disa muaj më parë do të rikthehet së shpejti në detyrë, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit. Lajmin e ka dhënë vetë mjeku, përmes një postimi në Facebook ku shkuar se drejtoria e QSUT do ta kompensojë financiarisht, ndërkohë që nuk e fsheh krenarinë për fitoren në përballjen me drejtësinë, por nuk kursen as akuzat për qeverinë.
Postimi i mjekut Petrit Vargu në Facebook:
Të nderuar miq !
Se shpejti kthehem në punën time, në vendin ku kam studiuar e punuar (QSUT).
Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë, të kthimit tim në punë dhe drejtoria e QSUT do të më kompensojë financiarisht.
Është mirë, që menaxherët e rilindjes t’i paguajnë këto lekë nga xhepi i tyre.
Shteti shqiptar nuk duhet të dëmtohet për arsyen e thjeshtë që rilindas të rastësishëm, vendosen në poste drejtuese.
Rasti i përjashtimit tim nga puna, uroj të mos i ndodhë askujt që ka vendosur të jetojë në vendin e tij.
Një gjë është e qartë që këta nuk kanë as turp dhe as kurajo që të korrigjojnë vetë gabimin.
Për këta turp është të kesh turp.
Krenar për fitoren e thellë, përqafoj të gjithë dashamirësit.... (A2 Televizion)