Çfarë është struktura e mbrojtjes së votës në PD? Viktima e ngjarjes në 21 prill, Pjerin Xhuvani Viktima e ngjarjes në 21 prill, Pjerin Xhuvani
A2 ka siguruar një foto ku tregohet momenti ku furgonat me logon e Partisë Demokratike, që sipas saj ishin pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës, i kanë bllokuar rrugën dhe kanë ndaluar një makinë me ngjyrë të kuqe, me pretendimin se personat brenda saj ndalonin qytetarë dhe i intimidonin për votimet.
Në foto janë momentet pak para ngjarjes tragjike, ku nga përplasja e armatosur humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe 4 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Nga Elbasani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, doli në një deklaratë për mediat, duke thënë se shtetasi Arbër Paplekaj, është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.
Ndërkohë, Veliu bëri të ditur se janë ndaluar të gjithë personat që gjendeshin në furgonët e PD, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë”, në bashkëpunim.
Në kërkim është shpallur shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”.
Veliu theksoi se nga këqyrja e automjetit tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës. (A2 Televizion)