Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dhjetëra të shoqëruar, PD dhe PS fajësojnë njëra-tjetrën

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 10:23 | Kronikë
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dhjetëra të shoqëruar, PD dhe PS

Dhjetëra të shoqëruar në Polici, pas ngjarjes që tronditi Elbasanin një ditë më parë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive e Policisë së Shtetit. Pas ngjarjes, autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Paplekaj, u vetëdorëzua në polici, ku edhe u arrestua. Ndërsa Kelmend Xhaferri, i cili dyshohet se gjithashtu ka qenë i përfshirë në përplasjen e armatosur, është shpallur në kërkim.

Në total janë 25 persona të shoqëruar, shumica prej tyre simpatizantë të Partisë Demokratike, por edhe pjesëtarë të Shoqatës së Policëve në Lirim 2013. Të gjithë kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe janë shoqëruar për të dhënë informacionet e tyre.

https://a2news.com/2021/04/21/arber-paplekaj-u-vetedorezua-me-makine-te-vjedhur-nen-kercenimin-e-armes/

Nga ana tjetër, edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për veprimet e policisë. Makina Mercedes Benz S Class, me targa AA010CC, e përfshirë dje në ngjarjen e Elbasanit rezulton automjet në pronësi të një koncesionari, por jo personi fizik, çka do të thotë se nuk është e shitur. SHÇBA ka nisur verifikimet për veprimet e policisë pasi kur ndodhi përplasja në vendngjarje kanë qenë dy nëndrejtorit e Policisë Elbasan, Albert Nushi dhe Niko Palla, ky i fundit është i xhiruar teksa hyn në kangjellat e drejtorisë së Policisë Elbasan.

Sherri, i cili përfundoi me një bilanc tragjik, dyshohet se nisi për motive politike, pas denoncimeve të Partisë Demokratike për një mjet pa targa që po qarkullonte në rrugët e qytetit duke dhënë para në këmbim të votës. Por situata në qytet ishte e tensionuar mes palëve, që prej përleshjes fizike në Ditën e Verës mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.

Dëshmitarët okularë, banorë të lagjes “5 Maji”, kanë thënë se kanë parë një skenë të vërtetë lufte, ku palët shkëmbenin zjarr. Për shkak të kësaj situata të krijuar, Forcat Speciale RENEA vijojnë të qëndrojnë në Elbasan, ka pasur gjatë gjithë mbrëmjes kontrolle.

https://a2news.com/2021/04/21/tronditet-elbasani-vritet-pjerin-xhuvani-4-te-tjere-mbeten-te-plagosur-mes-tyre-nje-efektive-policie-arrestohet-autori-i-dyshuar-eshte-shoqeruesi-i-gazment-bardhit/

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha një natë më parë se autori i dyshuar, Paplekaj, nuk ishte shoqëruesi i tij, por pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës, një njësi e ngritur nga Partia Demokratike me ish-efektivë të Policisë të larguar nga detyra, për të verifikuar rastet e krimit zgjedhor. “Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë”, tha Bardhi për Paplekajn.

Ndërkohë, drejtuesi i fushatës së PS në Elbasan, Taulant Balla fajësoi PD, duke deklaruar se në Elbasan kane zbritur furgona me paramilitarë të PD që kanë terrorizuar banorët.

Reagimet e politikës dhe ndërkombëtarëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vrasjen në Elbasan. Përmes një postimi në Twitter ai shprehet se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona”.

Nga Vlora presidenti Ilir Meta, ia faturoi përgjegjësinë e situatës së tensioneve dhe konfliktit, kryeministrit Edi Rama. Sipas tij zgjedhjet e 2017-ës, sipas modelit të Shijakut e Dibrës dhe së fundi përjashtimi i Dritan Lelit që nuk iu bind urdhrit të tij, janë prova të mjaftueshme për ta kuptuar këtë situatë.

https://a2news.com/2021/04/21/vrasja-ne-elbasan-reagon-ambasada-amerikane/

Ambasada Amerikane kërkoi hetimin e shpejtë dhe dënimin me të gjithë forcën e ligjit të autorëve të ngjarjes në Elbasan. “Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”, theksohet në një deklaratë të selisë diplomatike të SHBA. “Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme”, nënvizon deklarata e Ambasadës Amerikane. Reagimi përfundon duke rikujtuar edhe njëherë mesazhin e 26 marsit të shkuar, ku i bëhet thirrje udhëheqësve që janë në pushtet dhe atyre që kërkojnë pushtetin, të refuzojnë qartazi dhunën.

Edhe zyra e Bashkimit Europian në Tiranë reagoi për vrasjen në Elbasan. Në një postim në rrjetet sociale, thuhet se akti i dhunshëm që ndodhi në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht. BE bën thirrje për shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos