
Policia ka bërë të ditur se ka arritur të zbardhë ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Elbasanit, ku pas një konflikti mes disa të rinjve, njëri prej tyre u mor peng për disa minuta.
Policia bën të ditur se ka identifikuar dhe më pas arrestuar 4 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
“I hoqën lirinë një shtetasi, duke e mbajtur për disa minuta në automjet, Policia identifikon dhe vë në pranga 4 autorët.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:20, salla operative e DVP Elbasan ka marrë njoftim për një konflikt mes disa adoleshentëve, në afërsi të pallatit të sportit. Sipas njoftimit, disa nga personat e përfshirë në konflikt kishin marrë në automjet, pa dëshirën e tij, një person tjetër të përshirë në konflikt.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale kanë bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përshirë në konflikt.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. B., 20 vjeç, F. G., 19 vjeç, B. Q. 22 vjeç dhe E. G., 20 vjeç, banues në Elbasan.
Këta shtetas, pas një konflikti fizik për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur me forcë në automjet, për disa minuta, një 17-vjeçar të përfshirë në konflikt. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë", e kryer në bashkëpunim”, njofton policia. (A2 Televizion)