Sekuestrohen armë dhe municione në Tiranë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2022, 11:07 | Kronikë

Policia e Tiranës arrestoi dy persona, pas një operacioni ku u sekuestruan armë dhe municione luftarake.

Në pranga përfunduan: E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”; dhe M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Policia tha se ka sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive, tre thika, krehër, municion luftarak, silenciator dhe 2 aparate celulare. Vihet në pranga poseduesi i tyre. 

“Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën "Agush Gjergjevica", në një automjet, po qarkullonte 1 shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pasagjeri”.

Në rrugën "Agush Gjergjevica", shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. M. dhe pasagjer shtetasin E. K.

Gjatë kontrollit në çantën e dorës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një silenciator. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak. Shtetasi M. M. ka pasur dijeni për krimin, por nuk ka kallëzuar”, tha Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/07/27/arrestimi-i-ish-efektivit-te-renea-s-zbulohen-municione-arme-e-thika-ne-nje-banese-me-qira/

A2 CNN Livestream

Latest Videos