
Pasi provoi prangat, Remal Rado, ish-efektivi i forcave RENEA, do të provojë qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dhe Elton Hithin, personin që ndodhej në të njëjtën makinë me ish-efektivin, ku u gjet një snajper dhe municion luftarak, ndërsa sfida e hetimit mbetet zbulimi i përfshirjes së tyre të mundshme në ngjarje kriminale në vend.
Para gjykatës, Rado nuk dha shpjegime të hollësishme për snajperin, apo arsenalin e armëve të gjetur në dy banesa në përdorim të tij. Ndërsa Hithi tha se nuk kishte lidhje me armët. Duke kërkuar një masë sigurie me afat Hithit, ai pretendoi se ditën e arrestimit ishte telefonuar nga një person i panjohur në emër të një miku të tij në Angli. “Më tha kam një pako për ty. Hajde merre në Sauk, por është pak me rrezik”. Sipas Hithit, atje ka shkuar me ish-efektivin e RENEA-s dhe e ka marrë pakon pa e ditur se brenda ishte snajperi, ndërsa pas disa metrash janë ndaluar nga policia.
I arrestuari Hithi ka pretenduar se e ka filmuar takimin dhe se në telefonin e tij të sekuestruar nga policia mund të zbardhet videoja dhe komunikimi me personin që i dha pakon. Ndërkohë, pas arrestimit, dy të arrestuarit kanë refuzuar të japin mostër ADN-je për oficerët e Policisë Gjyqësore, profil që do të krahasohej më pas me bazën e të dhënave për të verifikuar nëse dalin të përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale në vend.
Remal Rado dhe Elton Hithi u arrestuan të martën pranë rreth-rrotullimit të Saukut. Kontrolli policor në dy banesa të Rados zbuloi një arsenal armësh zjarri dhe të ftohta, municione, dylbi snajperi, dylbi për shikim në errësirë, jelekë policie, targa, dokument policie si edhe 15 telefona celularë. (A2 Televizion)