Morth në vetëm 5 minuta, acari “ngrin” festat në SHBA, temperatura deri në -45 gradë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 10:42 | Bota
Morth në vetëm 5 minuta, acari “ngrin” festat në

I ftohti ekstrem ka ngrirë festën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Ekspertët po paralajmërojnë se temperaturat ekstreme të ulëta mund të bëjnë që morthi të kaplojë lëkurën e një njeriu nga 5 deri në 10 minuta.

Një stuhi e ashpër arktike dimërore ka vendosur më shumë se 135 milionë njerëz nën alarmet e motit të acartë përpara ditëve më të ngarkuara të udhëtimit të vitit, për festën e Krishtlindjeve dhe të ndërrimit të viteve.

Alarmet shtrihen nga bregu në breg dhe arrijnë deri në jug deri në kufirin SHBA-Meksikë, madje edhe në shtetin e diellit, Florida.

Aeroportet kryesore kanë anuluar mijëra fluturime pasi stuhia po intensifikohet. I ftohti mund të sjellë Krishtlindjet më të akullta në dekada, thonë sinoptikanët. Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA njoftoi se temperaturat mund të shkojnë deri në -45 gradë celsius deri në fund të kësaj jave në disa pjesë të vendit.

Meteorologët paralajmëruan se stuhia dimërore mund të shndërrohet në një “ciklon bombë”, një term që përdoret kur një stuhi intesifikohet me shpejtësi të madhe, me presionin qendror të ajrit që bie me të paktën 24 milibar në 24 orë.

“Kjo nuk është një ditë dëbore që e shijon kur je fëmijë, kjo është vërtetë serioze”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul, shpalli gjendjen e emergjencës si parapërgatitje për të përballuar stuhinë e acarit. Të njëjtën masë kanë ndërmarrë edhe guvernatorë të shumtë amerikanë, ndërsa qarkullimi në rrugë konsiderohet tepër i rrezikshëm për shkak të ngricave dhe bllokimeve nga dëbora. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/23/moti-ekstrem-kthen-ujin-e-nxehte-ne-grimca-bore/

A2 CNN Livestream

Latest Videos