"Mos e nënvlerësoni Rusinë", Stoltenberg: Muajt në vazhdim do të jenë të vështirë

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2022, 16:03 | Bota
"Mos e nënvlerësoni Rusinë", Stoltenberg: Muajt në

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se muajt në vazhdim do të jenë të vështirë për Ukrainën, ndërsa paralajmëroi se kapaciteti ushtarak i Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet. Stoltenberg theksoi se është Ukraina që i vendos kushtet e negociatave, pasi ajo po paguan çmimin më të lartë në këtë luftë. 

“Shumica e luftërave marrin fund në tryezën e negociatave, por ajo që ndodh në tryezë lidhet ngushtë me situatën në fushëbetejë. Duhet të ndihmojmë Ukrainën të fuqizojë pozicionin e vet, në mënyrë që në një moment të caktuar të ketë negociata ku ajo të mbizotërojë si shtet i pavarur në Europë. Është Ukraina që vendos, pasi është ajo që po paguan. Po paguan çmimin më të lartë sa i përket jetëve të humbura dhe dëmeve në vend, kështu është Ukraina që vendos se cilat kushte janë të pranueshme për të. Tërheqja e Moskës nga Khersoni tregon kurajon e jashtëzakonshme të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Por tregon edhe rëndësinë e mbështetjes sonë të vazhdueshme. Nuk duhet të bëjmë gabime duke e nënvlerësuar Rusinë. Forcat e Moskës kanë ende kapacitete të konsiderueshme dhe një numër të madh trupash. Muajt në vazhdim do të jenë të vështira. Qëllimi i Putinit është ta lërë Ukrainën në të ftohtë dhe në errësirë”, tha Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos