
Mos marrja e një vendimi nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vijon të jetë temë kryesore për politikën shqiptare.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu ka drejtuar letra kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së, në lidhje me procesin e hapjes së negociatave.
Pasi ka falenderuar homologët evropianë që mbështetën pa kushte hapjen e negociatave për Shqipërinë, Gramoz Ruçi iu është drejtuar edhe kryeparlamentarëve të Francës, Holandës dhe Danimarkës, të cilët kanë qenë kundër hapjes së “dritës jeshile” për vendin tonë.
Sipas Ruçit, vendimi i KE, ndonëse i pamerituar nuk e dekurajon Shqipërinë. Ai i ftoi kryeparlamentarët e Francës, Holandës dhe Danimarkës të verifikojnë nga afër arritjet e Shqipërisë në plotësimin e standardeve të integrimit.
“Vendimi i Këshillit Europian, edhe pse i pamerituar dhe që nuk i përgjigjet të vërtetës për rezultatet e Shqipërisë, nuk na dekurajoi, por, përkundrazi, na nxit për të ecur më shpejt e me performancë më të mirë drejt përmbushjes së kritereve për çeljen sa më shpejt të negociatave. Ne e kemi të qartë se reformat integruese nuk janë qëllim në vetvete, por i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë, mirëqenies së qytetarëve si edhe stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajon. Thellimi i reformave dhe konsolidimi i demokracisë në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit i shërben gjithashtu shndërrimit të Ballkanit Perëndimor në një vlerë të shtuar të familjes europiane”, shkruan në letrat e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. (A2 Televizion)