
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe sekretari i shtetit, Antony Blinken, kanë folur qartë për shpalljen non grata të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Kështu u shpreh zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, në një intervistë për median e Kosovës, Reporteri.net. Gjithashtu, ai sqaroi qëndrimin për tentativën e Berishës për rikthim në krye të Partisë Demokratike.
“Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, është shprehur Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Escobar shtoi se Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Kjo intervistë vjen përpara vizitës zyrtare që i dërguari i Biden do të zhvillojë në Kosovë dhe Serbi.
Synimi është rivitalizimi i procesit të dialogut Prishtinë-Beograd, i cili aktualisht nuk po funksionon dhe është ngrirë. Escobar tha se SHBA-ja pret që të dyja vendet t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Konkretisht, kërkoi që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, pasi sipas tij, nuk e cenon sovranitetin e shtetit. Gjithashtu, nxit Beogradin dhe Prishtinën që të arrijnë një marrëveshje finale. (A2 Televizion)