
Temperaturat e ulëta kanë krijuar probleme në disa fshatra të thella, megjithëse akset rrugore mbeten të hapur. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka shpjeguar për A2 CNN situatën që ka përfshirë vendin nga ftohja e motit, teksa ka deklaruar se janë ngritur grupet e punës për të ndërhyrë për çdo emergjencë në terren.
“Zona të thella, të cilat janë karakterizuar edhe më parë nga bllokime apo prani e shtuar e dëborës. Ka vetëm pak fshatra, kryesisht në zonën e Kalasë së Dodës, por gjithsesi rrugët lidhëse ndërmjet tyre janë të aksesueshme”, tha Çako.
Kreu i Agjencisë së kombëtare të mbrojtjes civile apelon qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të pajisin mjetet me zinxhirë, me qëllim mundësimin e qarkullimit. Situata e shkaktuar nga moti i ftohtë pritet të jetë problematike edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, për shkak të rënies së mëtejshme të temperaturave. (A2 Televizion)