
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë raportimin më të fundit të situatës së krijuar në mbarë vendin si pasojë e motit të keq, të shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të dendura shiut.
Sipas Autoritetit Rrugor, vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë në Tropojë, ku janë regjistruar edhe problemet më të mëdha.
I vetmi aks rrugor ku për arsye sigurie është bllokuar momentalisht qarkullimi i mjete të rënda është aksi Bajram Curri-Kam. Në këtë aks vazhdon qarkullimi i mjeteve të vogla vetura dhe furgona.
Ndërkohë në Qafë Mali - Fierzë po punohet me 3 fadroma dhe një ekskavator për përmirësimin e situatës pasi vijojnë reshjet.
Në rajonin jugor moti është drejt përmirësimit. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve. Kontraktorët janë në gatishmëri për përballimin e çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.
Problematika ka pasur dhe në furnizimin me energji elektrike. OSHEE bën me dije se për momentin janë 14 fidera jashtë pune, pjesa më e madhe e të cilave ndodhen në zona rurale, malore.
Situata paraqitet e përmirësuar krahasuar me gjendjen kritike të paradites, ndërkohë që po punohet në fiderat e zonave Lushnje, Fier dhe Përmet.
Për arsye të mbylljes së Portit të Barit në Itali, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe kthim, do të nisën në orën 07:00 të mëngjesit të datës 18 Shtator dhe jo në orarin e parashikuar 23:00 të mbrëmjës së sotme. Pasagjerët janë njoftuar dhe do mund të akomodohen të gjithë me dhoma në traget.
Në Portin Vlorë do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi ndalimi i lundrimit për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese deri në një njoftim të dytë. (A2 Televizion)