
Reshjet e shirave kanë krijuar probleme në disa qytete të vendit me bllokimin e segmenteve rrugore, por edhe fshatra, familjet e të cilave kanë mbetur të bllokuara nga përmbytjet.
Nga informacioni i marrë nga bashkitë, si rezultat i kushteve të motit rezulton se i gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu, edhe më intensive këto në bashkinë e Tropojës.
Nga informacioni i marrë nga Emergjencat Civile në bashkinë Tropojë, si rezultat i reshjeve të shiut, gjendja në fshatin Fushë Lumi në Margegaj dhe në fshatin Vlad ka vijuar duke u përkeqësuar.
Në fshatin Fushë-Lumi, 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar. Në fshatin Vlad, situata është më e rënduar ndërsa në terren vijojnë të jenë grupet e emergjencave, të cilat po monitorojnë situatën.
Ndërkohë, bashkia e Lezhës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale informoi qytetarët se reshjet e dendura të shiut, të parashikuara gjatë fundjavës, mund të krijojnë probleme të ndryshme për qytetarët.
Për shkak të motit të keq është dëmtuar linja e rrjetit të tensionit të mesëm në Fierzë. OSHEE njoftoi se ka nisur puna për rregullimin e avarisë. Reshjet kanë përmbytur dhe akset rrugore në qytetin e Lushnjës, të cilat kanë arritur një nivel prej rreth 30 cm.
Në Fier situata paraqitet e njëjtë ndërsa në Elbasan reshjet dhe era e fortë rrëzuan pemë. Era e fortë dhe deti me fuqi deri në 8 ballë në det të hapur ka bërë që të pezullohet dhe lundrimi nga kapiteneria Vlorë për mjetet e peshkimit e ato te vogla lundruese. (A2 Televizion)