
Shpresat e Shqipërisë, të drejtuara nga Alban Bushi, morën fitoren e parë në eliminatoret e Europianit këtë të martë, duke mposhtur 2-1 moshatarët e tyre nga Kosova.
Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” nisi me shumë emocione kur 22 lojtarët në fushë kënduan së bashku himnin e Shqipërisë. Edhe pse me këtë nisje, nuk mungoi tensioni në fushën e lojës, ashtu siç Bushi tha një ditë më parë: “Vëllezër jemi pas ndeshjes”. Në fund ishin lojtarët e Shqipërisë që triumfuan 2-1.
Një fitore e shumëpritur kjo për Shqipërinë, duke parë festimin në fushë, por edhe më tej në dhomat e zhveshjes, e cila është publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. (A2 Televizion)