Ata ishin protagonistë të skenave të shëmtuara të racizmit në ndeshjen e të hënës Bullgari - Angli, që sollën edhe dorëheqjen e Presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Mediat britanike kanë zbuluar se bëhet fjalë për një grupim ultras tepër të dhunshëm, të quajtur Ushtria Lauta.
Një grup radikal neonazist, i njohur në Bullgari për dhunën dhe spektaklin e shëmtuar që ofron në stadiume.
Ata janë tifozë të klubit Lokomotiv Plovdiv, pjesa dërrmuese ish-pjesëtarë të ushtrisë. Themeluar në vitin 1992, klubi ekskluziv besohet se sot ka 500 anëtarë, të gjithë "besnikë" të dhunës dhe ideve ekstremiste.
Ata vishen gjithmonë me të zeza dhe njihen si një nga grupimet e tifozëve më të dhunshëm në Europë. Ndërsa së fundmi ndaj tyre janë ngritur edhe akuza se janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, si zhvatje. (A2 Televizion)