
Muhamet Rrumbullaku do të zërë vendin e Gledis Nanos në krye të policisë së shtetit. Ashtu siç pritej, ish-drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes policore mori detyrën pas vendimit të qeverisë, ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se ai plotëson të gjitha kriteret për të qenë në majë të piramidës policore.
Me një karrierë të gjatë që nga vitit 1995, në radhët e uniformave, por edhe shkëputje të shumta, 56-vjeçari Rrumbullaku u rikthye përfundimisht për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit në janar të vitit 2019, si drejtuesi i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe ankesat.
Një ndër sfidat e para të institucionit që drejtonte ishte dhe vrasja e të riut Klodian Rasha në dhjetor të vitit 2020, ku i përfshirë ishte një efektiv i repartit Shqiponja. Ndonëse u pretendua se hetimi i SHÇBA ishte i plotë, ai nuk i dha përgjigje të plotë autorësisë së pistoletës së gjetur në një rrugicë të zonës ku ndiqej i riu që mbeti viktimë e policisë.
Nuk do të kalonte shumë dhe në prill të një viti më pas, pak ditë para zgjedhjeve, vrasja e Pjerin Xhuvanit angazhoi sërish SHÇBA. Ndonëse me vonesë gati një vit nga ngjarja, në pranga përfunduan dy zv.drejtorët e Policisë së Elbasanit, të cilët u lanë në burg për kallëzim të rremë.
Por veç përfundimit të hetimeve, pikëpyetjet më të mëdha në nisjen e tyre janë ato të dekonspirimit të operacionit “Plumbi i Artë” pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Dekonspirimi i operacioneve u përmend dhe nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, por Bledi Çuçi kishte këtë përgjigje. “Kur nuk i di ai që është drejtor, mos prisni t’i dijë ministri”.
Sfidat në krye të policisë janë të shumta, por pastrimi nga radhët e saj të elementeve të inkriminuar vijon të mbetet ende një hetim i pazbardhur, detyrë e të cilit tashmë i takon Ardi Veliut, si drejtori më i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. (A2 Televizion)