
Banorët e Bashkisë së Pustecit, përfshi edhe 9 fshatrat e saj, prej më shumë se 30 vitesh nuk kanë një farmaci në zonën e tyre. Dhe kjo mungesë bëhet akoma më problematike, pasi shumica e popullatës në këtë bashki janë të moshës së tretë dhe ilaçet i kanë pjesë të përditshmërisë së tyre.
Edhe vetë bashkia e Pustecit duket se ka dështuar të plotësojë këtë mangësi për territorin e saj.
Kryetari i bashkisë së Pustecit shprehet se janë bërë përpjekje për të patur të paktën një farmaci në qendër të bashkisë, por deri tani nuk është bërë asgjë konkrete.
Sakaq nevoja për një farmaci ilaçesh bëhet edhe më e domosdoshme gjatë verës kohë kur zona është mjaft e frekuentuar nga pushues vendas dhe të huaj dhe që në shumë raste i lind nevoja për medikamente mjekësore. (A2 Televizion)