
Refuzimi nga mazhoranca për ngritjen e dy komisioneve hetimore, ai për të hetuar se çfarë ndodhi gjatë zgjedhjeve të 11 Majit dhe për aktivitetin e ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, ka detyruar opozitën që të trokasë në Gjykatën Kushtetuese.
38 deputetë të Partisë Demokratike kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, shkruan A2.
Po ashtu, kërkojnë nga trupa kushtetuese që të rrëzojnë vendimin e Kuvendit, që nuk lejoi ngritjen e dy komisioneve hetimore.
Në ankimin që kanë depozituar në Kushtetuese, deputetët e opozitës argumentojnë se rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend të papërfillshëm.
(A2 Televizion)