Për herë të parë, në Romë u mbajt mbledhja e përbashkët ndërqeveritare Shqipëri-Itali. Kryeministri Edi Rama u prit nga homologia italiane me ceremoni zyrtare në Vila Doria Pamphili.
Përveç protokollit, nuk munguan as puthjet dhe përqafimet e përhershme Rama-Meloni, shkruan A2.
Në këtë takim u firmosën 16 marrëveshje dhe memorandume në sektorë të ndryshëm, nga mbrojtja, energjia, emigracioni i paligjshëm, ekonomia dhe kultura.
Dy kryeministrat firmosën dokumentin për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve në ambjentet e jashtme të vilës historike.
Përveç projekteve të përbashkëta, kryeministrja Meloni tregoi edhe një herë që Italia mbështet integrimin e Shqipërisë.
Drejtuesi i qeverisë shqiptare kërkon të firmosë anëtarësimin në BE me çdo kusht, edhe duke hequr dorë nga privilegjet vendimmarrëse apo përfaqësuese që kanë vendet e tjera anëtare.
Meloni mendon që Greqia nuk do të bllokojë zgjerimin e BE me Shqipërinë, optimizëm që duket se e ndan edhe Rama, i cili beson që marrëdhënia me qeverinë greke është normale.
Edhe pse është bllokuar prej muajsh tashmë, Meloni mendon që protokolli i firmosur me Shqipërinë për dy kampet e emigrantëve do të funskionojë në të ardhmen.
Ky protokoll po kërkohet të vihet në zbatim edhe nga vendet e tjera, por Rama sërish nga Roma, e mohon që do të pranojë kërkesa të tjera.
Vijëmësia e Korridorit 8 dhe marrëveshjet e mbrojtjes janë produkt i kësaj mbledhjeje.
Meloni e bëri të qartë se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke nënvizuar faktin se në Shqipëri janë rreth 3 mijë kompani italiane dhe brenda 6 muajve do të ketë një forum për t’i ardhur në mbështetje bizneseve të vogla dhe të mesme. (A2 Televizion)
