Në momentin e parë që botës iu komunikua të qëndronte në shtëpi për të shmangur infektimin nga koronavirusi, një bandë muzikore britanike kishte vetëm një mundësi për të zgjedhur: të braktisnin muzikën live ose të izoloheshin së bashku.
Nga një rezidencë në Detin e Veriut, performon grupi i quajtur “Sharpville Show” në kitarë, bateri, organo dhe bas ndërsa një qen Shitzu i shoqëron gjithmonë. Në vend që të karantinohen si miliona të tjerë, ata kanë zgjedhur të izolohen së bashku, në një zonë luksoze në Norfolk, në Anglinë lindore për të mbajtur gjallë pasionin e tyre.
“Kur bota nisi të mbyllej në shtëpi dhe të kujdesej për distancën sociale, unë arrita në përfundimin se mungesa e të luajturit do të kthehej në shqetësim dhe në një farë mënyre duhej gjetur një zgjidhje për ta përshtatur. Ngjan disi si shembulli i arkës së Noeut. Disa gjëra duhen ruajtur dhe m'u desh të mendoja diçka. Kjo edhe si një mënyrë për të identifikuar të ardhmen, si grupi që luante gjatë izolimit. Industria ka zgjedhur rrugën e shkurtër. Transmeton direkt nga platforma të ndryshme, performanca nga një studio në tjetrën, ku artistët luajnë virtualisht dhe vijnë në ekran të ndarë në disa dritare. Por ana tjetër e medaljes, është kjo, që muzikantët mblidhen me njëri-tjetrin në një dhomë, duke performuar si të ishte një ansambël live. Kjo mungon tërësisht. Dhe është ajo që po përpiqemi të korrigjojmë”, thotë Todd Sharpville, themeluesi i bandës.
Të mësuar me jetesën në rrugë dhe koncertet, këta muzikantë kishin mbetur të pastrehë. Për Dave Swift, basistin e grupit, kriza e koronavirusit vendosi shumë muzikantë në izolim, por në të njëjtën kohë edhe një hapësirë krijimtarie.

“Të jesh këtu dhe të punosh me grupin, të bësh prova, të mësosh këngë, të performosh. Jam shumë i lumtur sepse është e dhimbshme për shumë muzikantë që nuk kanë mundësi. Fatmirësisht nuk po ndajmë të gjithë të njëjtën dhomë dhe kjo është një të mirat më të mëdha që kemi”, thotë Swift.
Plani i Sharpville është të bashkëpunojë me artistë të tjerë që nuk kanë të njëjtat mundësi. Banda ka qenë duke shkruar gjithashtu këngë në lidhje me krizën, të cilat janë transmetuar drejtpërdrejt në rrjetë.
“Ka shumë kategori muzike, nga bluzi tek xhazi e deri tek elementët shpirtëror si “rock and roll”. Dhe rock and roll kërkon medoemos një bandë muzikore. Kërkon atë kiminë telepatike që i bën muzikantët të punojnë së bashku. Dhe kur pash që kjo gjë po haste një barrierë, ndieva përgjegjësinë për të bërë diçka që puna në grup të mos ndalej”, vijon Sharpville.
Edhe pse të gjithë anëtarët e bandës ndihen të veçuar nga pjesa tjetër e globit, ata thonë se janë me fat që janë të gjithë së bashku.
“Kemi shokë jashtë, që janë të dëshpëruar për të luajtur pak. Mezi presin. Prandaj ne jemi shumë, shumë të bekuar” thotë Dan Hale ndërsa luan në baterinë e tij. (A2 Televizion)