





























Kanë kaluar 60 vite që kur autoritetet amerikane vendosën që të mbyllnin një herë e përgjithmonë 378 qelitë e burgut më famëkeq në vend, Alcatraz. I vendosur në një ishull shkëmbor rreth 20 kilometra nga San Francisko, për 29 vite në atë burg u mbyllën disa prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shteteve të Bashkuara, si Al Capone, apo George "Machine Gun" Kelly.
Së fundmi, janë publikuar foto të rralla nga jeta brenda ne ishullin-burg, ku tregohet gjithçka ndodhte aty brenda, nga kopshtet me lule të mirëmbajtur nga të dënuarit, te menyja e Krishtlindjeve të vitit 1950, e deri tek armët e gardianëve të burgut.
Në foto shfaqen edhe disa nga të burgosurit më famëkeq të Alcatraz, si Clarence Carnes, më i riu i dërguar aty, vetëm 18 vjeç, si dhe 3 personazhet e shndërruar tashmë në protagonistë të historisë, të cilët arritën të arratisen nga aty. Frank Morris dhe vëllezërit Clarence e John Anglin, të tre të dënuar për grabitje bankash, arritën të zhdukeshin prej Alcatraz më 11 qershor 1962. Historia e tyre është përjetësuar edhe në një film me protagonist Clint Eastwood.
Tre burrat përdorën lugë e pirunë për të gërmuar betonin e mureve, ndërsa mendohet se u arratisën përmes një mjeti lundrues të ndërtuar me mushama. Edhe pse shumë historianë besojnë se ata humbën jetën teksa tentonin të arrinin bregun tjetër, zyrtarisht ata janë ende persona të shpallur në kërkim, edhe pse i kanë kaluar të 90-tat tashmë.
Burgu do të mbyllej përgjithmonë, më 21 mars 1963, disa muaj pas arratisjes së tyre spektakolare. Por sipas arkivave, vendimi nuk kishte lidhje me arratisjen dhe ishte marrë para se ajo të ndodhte. Sipas Zyrës Federale të Burgjeve, për restaurimin e burgut nevojiteshin deri në 5 milionë dollarë, shifër tepër e lartë për kohën.
Shifrat e larta shkaktoheshin nga fakti që burgu ndodhej në një ishull dhe të gjitha mallrat duheshin transportuar me varkë. Në ishull nuk kishte as ujë të pijshëm, i cili duhej marrë nga kontinenti. Çdo javë, për të burgosurit dhe stafin duheshin rreth 3,7 milionë litra ujë.
Pas analizave, qeveria amerikane vendosi se ishte më e leverdishme të ndërtonte një burg të ri sesa të mbante hapur Alcatraz-in. Në ditën e fundit para mbylljes së burgut prej aty u larguan edhe 27 të dënuarit e fundit, të cilët u parakaluan në sytë e gazetarëve.”
Pasi u bë për ca kohë “shtëpi” e disa nativëve të Amerikës, të cilët protestonin kundër qeverisë amerikane, në vitin 1972 Alcatraz u fut në listën e monumenteve historike të San Franciskos. Sot, aty shkojnë 1,5 milionë turistë çdo vit. (A2 Televizion)