
10 anëtarë të një bande muzikore indigjene mbetën të vrarë gjatë një sulmi në pjesën perëndimore të Meksikës, i cili sipas autoriteteve u organizua nga një kartel droge.
Muzikantët e komunitetit indigjen Nahuas po ktheheshin nga një mbrëmje kur u sulmuan nga persona të armatosur në qytetin e Chilapas, në shtetin Guerrero. Viktimat janë të gjithë burra nga mosha 15-42 vjeç.
Karteli i drogës “Los Ardillos”, i cili herë pas here sulmon indigjenët në zonë, u akuzua për këtë sulm.
Guerrero është një nga shtetet më të dhunshme të Meksikës, ku bandat e drogës luftojnë për kontrollin e rrugëve të trafikimit drejt Paqësorit dhe pjesëve të tjera të vendit. Karteli Los Ardillos është përgjegjës për dhjetëra vdekje muajt e fundit, përfshirë shumë indigjenë. (A2 Televizion)