
Dy ngjarje të rënda me distancë të shkurtër kanë ndodhur dje në darkë në lagjen 14 “Shkozet” të Durrësit dhe në aksin Fushë Krujë-Thumanë, ku elementi i përbashkët janë ”maskat”.
Në ngjarjen e parë, sipas njoftimit të policisë, disa persona të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e një biznesmeni të zonës.
Personat kanë qenë të armatosur, dhe pasi kanë lidhur pjesëtarët e familjes, kanë zbuluar në banesë një shumë rreth 10 mijë euro dhe e kanë grabitur. Biznesmeni në fjalë E.K., është i njohur në zonë në fushën e transportit.
Ndërkohë, disa kilometra më në veri, një makinë e tipit Mercedes Benz vidhej po nga persona të maskuara në afërsi të Fushë Krujës, pikërisht në Thumanë.
Makina ishte në pronësi të një shtetasi nga Kukësi, i identifikuar si A.K. Maskat i kanë bllokuar rrugën shoferit dhe e kanë zbritur atë me forcë. (A2 Televizion)