
Rusia synon t’i marrë Ukrainës të gjithë Donbasin. Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltneberg, i cili tha se ushtria e Moskës po rigrupohet për t’u përqendruar në lindje dhe jug të Ukrainës. Vrasjet brutale të civilëve i konsideroi krime lufte dhe kritikoi Kinën për mosdënimin e Rusisë.
“Ne tani po shohim një tërheqje të konsiderueshme të trupave ruse nga Kievi për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe rifurnizuar duke e zhvendosur fokusin e tyre në lindje. Jemi në një fazë thelbësore të luftës. Në javët e ardhshme, presim që Rusia të shtyjë në lindje dhe jug të Ukrainës në tentativë për të marrë të gjithë Donbasin dhe të krijojë një urë tokësore për në Krimenë e pushtuar. Imazhet e civilëve të vrarë në Bucha janë një brutalitet, të cilin Europa nuk e ka dëshmuar prej dekadash. Shënjestrimi dhe vrasja e civilëve është një krim lufte. Duhet të mblidhen të gjitha provat dhe përgjegjësit e këtyre masakrave duhet të sillen para drejtësisë”, tha Stoltenberg. (A2 Televizion)