NATO zhgënjen Ukrainën, Aleanca heq një hap për anëtarësimin, por nuk jep afat kohor

Nga A2 CNN
12 Korrik 2023, 07:03 | Bota
NATO zhgënjen Ukrainën, Aleanca heq një hap për

Sot zhvillohet dita e dytë dhe përmbyllëse e samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Kryefjala e punimeve të udhëheqësve dhe liderëve të vendeve anëtare ishte Ukraina.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, lëshoi një sinjal tepër pozitiv për pranimin e vendit të përfshirë nga lufta e nisur nga Rusia, por refuzoi të përcaktonte një afat kohor të qartë për anëtarësimin.

Megjithatë njoftoi se aleanca ka hequr një hap nga tërësia e kushteve që Ukraina duhej të përmbushte për t’iu bashkuar bllokut të fuqishëm ushtarak. Sipas Stoltenberg, kjo do të ndryshojë rrugën që Ukraina do të ndjekë për anëtarësimin, nga një proces me dy hap, në një të vetëm.

“Aleanca do ta ftojë Ukrainën t’i bashkohet kur të plotësohen kushtet”, nënvizoi ai.

Zyrtarët e qeverisë së Kievit kanë reaguar me zemërim dhe zhgënjim lidhur me këtë qëndrim. “NATO nuk duhet të mbajë pezull çështjen e anëtarësimit”, ishte deklarata e ministrit të jashtëm, Dmytro Kuleba.

Ndërsa presidenti Zelensky, që gjendet në Vilnius, përdori një gjuhë më të ashpër duke theksuar se “është absurde që Ukrainës nuk po i jepet ftesa për anëtarësim”. “Për Rusinë, ky është një zhvillim që e motivon të vazhdojë terrorin e saj”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, sot anëtarët e G7-ës pritet që të ratifikojnë një marrëveshje afatgjatë sigurie me Ukrainën, në kuadër të samitit të NATO-s. Në të do të përfshihen ndarja e pajisjeve të mbrojtjes, trajnime dhe e informacioneve të inteligjencës.

7 vendet me ekonominë më të fuqishme të botës thonë se kjo do t’i dërgojë një sinjal të qartë Rusisë së Putinit, pasi është një pakt për mbrojtjen e Ukrainës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos