Natyra krijon skulptura akulli, rëndohet bilanci në Nju-Jork, Garda shkon derë më derë

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2022, 15:28 | Bota
Natyra krijon skulptura akulli, rëndohet bilanci në Nju-Jork, Garda

Këto “skulptura” akulli nuk i ka krijuar njeriu, por janë skalitur nga vetë natyra. Pikërisht këto shtëpi të ngrira plotësisht dhe të bllokuara nga shtresa e akullit, dëshmojnë se sa e rëndë ishte stuhia arktike që preku kontinentin e Amerikës së Veriut.

Pamjet janë xhiruar në qytetin e vogël të Fort Erie në lumin Niagara në Ontario pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është dhe vendi më i goditur rëndë. Cikloni bombë arktik, që ngriu sezonin e festave, u ka marrë jetën të paktën 34 personave vetëm në Nju-Jork.

Bilanci në total i tejkalon 60 viktima, me shumë prej njerëzve të gjetur të ngrirë në banesat dhe automjetet e tyre, por edhe në rrugë, të mbuluar nga dëbora. Fatmirësisht, kushtet e motit kanë nisur të përmirësohen në zonat më të prekura në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, ka rënë edhe numri i banesave që nuk kanë energji elektrike.

Gradualisht, po rivendoset dhe normaliteti në qarkullimin rrugor, ndërsa kaosi në aeroporte vijon, me fluturime të anuluara dhe të shtyra. Rritja e temperaturave që po shkrin dëborën, sjell alarmin e përmbytjeve të mundshme.

Garda kombëtare e Shteteve të Bashkuara po trokasin derë më derë për t’ju ardhur në ndihmë personave që kanë vështirësi në ngrohje dhe sigurimin e ushqimeve për të tejkaluar, atë që po konsiderohet si stuhia më e rëndë dimërore në 40 vitet e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos