
Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se “nëse në qershor nuk do të hapen sërish negociatat për Shqipërinë për shkak të bllokimit që Bullgaria mund t’i bëjë Maqedonisë së Veriut, atëherë Shqipëria do të kërkojë të ndahet dhe të mos penalizohet nga konflikti i tyre”.
“Shqipëria është vend sovran, por kjo çështje varet nga vendimmarrja e Bashkimit Europian, që mendojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të udhëtojnë në çifte: Serbi-Mal i Zi, Shqipëri-Maqedoni e Veriut dhe Bosnje Hercegovina-Kosova. Nëse institucionet e Shqipërisë kërkojnë ndarjen, për neve nuk ka problem. Ne nuk bëhemi pengesë e askujt”, tha Xhaferi.
Në lidhje me Ballkanin e hapur, kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut deklaroi se “çdo çështje që përafron popujt e rajonit, është nismë për t’u mbështetur”.
“Duhet të kemi parasysh edhe raportet e vendeve. Ajo nismë është e plotë nëse në të bëjnë pjesë të gjitha vendet. Sigurisht që pengesë është raporti Prishtinë-Beograd, apo raportet e entiteteve në Bosnje. Nisma është e hapur”, tha Xhaferi. (A2 Televizion)