
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë një interviste për mediat vendase u shpreh se viti i ardhshëm do të nisë shumë i vrullshëm sa i përket marrëdhënieve me Kosovën.
Lideri serb zbuloi se përfaqësues të lartë ndërkombëtarë do të vizitojnë Beogradin gjatë muajit janar për të insistuar në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
"Unë pres që burra dhe gra nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë", tha Vuçiç.
Më tej, presidenti Vuçiç bisedoi dhe për çështjen e barrikadave. Ai tha se për të është e rëndësishme të përmbushën garancitë e bashkësisë ndërkombëtare në bazë të të cilave serbët në veri të Kosovës i hoqën barrikadat nga pikat kufitare drejt Serbisë. (A2 Televizion)