
Liderët nëpër botë kritikuan vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të ndërprerë lidhjet e Shteteve të Bashuara të Amerikës me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Iran akuzoi atë që e quajti regjim të papërgjegjshëm, se po përpiqej të fshihte dështimin e vet në menaxhimin e krizës shëndetësore.
Rusia reagoi përmes zëdhënëses Maria Zakharova, që e cilësoi një shkelje të bazës ligjore ndërkombëtare për bashkëpunim shëndetësor, në një kohë kur bota ka nevojë më shumë se kurrë për unitet: “Panorama e trishtë në sistemin shëndetesor të Shteteve të Bashkuara, e ekspozuar nga pandemia e Covid-19, nuk i lë asnjë mundësi Uashingtonit të pretendojë lidershipin e vet në këtë sferë”.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, dhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme të BE-së, Josep Borrell, i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara që të rikonsiderojnë vendimin, ndërsa ritheksuan se Brukseli do të vazhdonte të mbështeste organizatën në luftën kundër pandemisë globale.
Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, e quajti zhgënjyes dhe një hap prapa për shëndetin publik vendimin e Trump për të ndërprerë lidhjet me OBSH-në. Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të marrë tani rolin kryesor, duke angazhuar më shumë mjete financiare nëse organizata ka nevojë për reforma.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë në Britaninë e Madhe theksoi rolin e rëndësishëm të OBSH-së në luftën kundër koronavirusit dhe tha se nuk ka në plan të tërheqë financimet. (A2 Televizion)