
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka lajmëruar uljen e tarifës së pasagjerit dhe një paketë të re investimesh prej 100 milionë eurosh.
Zhvillimet vijnë pas ndërrimit të pronësisë së aeroportit dhe synojnë ta bëjnë atë më tërheqës për linjat ajrore dhe pasagjerët shqiptarë.
Tarifa e pasagjerit do të ulët nga 12,5 në 10 euro. Kjo ulje është pjesë e paketës së ndryshimit të kontratës së koncesionit që do të diskutohet me qeverinë, së bashku me liberalizimin e shërbimeve në tokë dhe liberalizimin e tregut të karburanteve të avionëve.
Këto ndryshime pritet të reflektohen në shtimin e linjave “low-cost” dhe uljen e çmimit të biletave.
Njëkohësisht, grupi “Kastrati” planifikon zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës dhe investime të tjera që kapin një vlerë prej 100 milionë eurosh. (A2 Televizion)