Ndërron jetën “kanibali i Kobe”, krimi i urryer për të cilin nuk u dënua kurrë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2022, 07:40 | Bota

Issei Sagawa, i njohur me nofkën “kanibali i Kobe”, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Ai u bë i famshëm në vitin 1981, kur vrau një studente në Francë dhe hëngri disa pjesë të kufomës, krim për të cilin nuk u dënua.

Ishte vëllai i vogël i Sagawa ai që njoftoi vdekjen që dyshohet se ka ardhur për shkak të pneumonisë dhe më pas u zhvillua një ceremoni mortore ku morën pjesë vetëm disa anëtarë të familjes.

Sagawa jetonte në një apartament në periferi të Tokios.

Në vitin 1981, Issei Sagawa, ndërsa studionte në Paris, ftoi studenten holandeze Renee Hartevelt në banesën e tij. Pasi e qëlloi me pushkë në qafë, e dhunoi dhe i copëtoi kufomën. Gjatë tri ditëve të ardhshme, ai konsumoi pjesë të trupit të saj.

Japonezi u zbulua dhe u arrestua në një përpjekje për të varrosur eshtrat e vajzës në Bois de Boulogne. I liruar pa gjyq në bazë të një raporti psikiatrik, Sagawa kaloi një periudhë të shkurtër paraburgimi në një institucion mendor dhe më pas u deportua në Japoni.

Autoritetet e vendit të tij dekretuan që burri ishte i aftë, por u detyruan ta linin të lirë, pasi në Francë akuzat kundër tij kishin rënë.

Në vitet e mëvonshme, Sagawa nuk shprehu kurrë pendim për krimin e tij dhe përkundrazi shkroi dhe një libër kujtimesh, ku mes rreshtash shprehej se "Ngrënia e saj ishte një akt suprem dashurie". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos