
5 ditë më parë, Dan Hutra mori jetën e 3 vajzave dhe plagosi 3 të tjera. Ai kaloi një kalvar të gjatë nëpër burgjet e vendit dhe pavarësisht kësaj, sërish vrau vetëm 2 javë pasi përfundoi dënimin e fundit. Si trajtohen të dënuarit në Shqipëri? A iu bëhet atyre analiza psiko-sociale dhe çfarë qëndrimi ka shoqëria shqiptare ndaj dhunës në familje?
Përgjigje këtyre pyetjeve iu dha në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN sociologu Gëzim Tushi, i cili u shpreh se ka pasur përmirësime të mëdha të Kodit Penal, i cili është sipas standardeve europiane, por sipas tij, nuk përputhen me realitetin shqiptar.
“Beteja që bëhet kundër dhunës ndaj grave është një betejë e pafituar. Shoqëria shqiptare vijon t’i trajtojë gratë si viktima. Kjo klimë e egër shfaqet edhe në format e kriminalitetit kaq shumë të ekzagjeruar.
Në anën e situatës së fundit duhet të jemi të balancuar dhe realistë. Janë bërë ndryshime të jashtëzakonshme në Kodin Penal, të cilat janë të standardeve europiane. Janë krijuar edhe struktura që duhet të ndjekin zbatimin e këtyre strategjive, por mesa duket ka një lloj ndarje mes realitetit tonë të ashpër, ku parametrat europiane nuk ngjitin mirë në realitetin tonë shqiptar. Kjo mund të ketë krijuar problem. Niveli i dhunës ndaj grave është në nivele të përbindshme”, tha sociologu. (A2 Televizion)