Ndëshkohet kritikja e Trump, ligjvënësja republikane humbet në zgjedhjet paraprake

Nga A2 CNN
17 Gusht 2022, 14:19 | Bota
Ndëshkohet kritikja e Trump, ligjvënësja republikane humbet

Një prej kritikeve më të zëshme republikane të ish-presidentit Donald Trump, po e humb vendin e saj në kongres. Ligjvënësja Liz Cheney pranoi humbjen në primaret e zhvilluara në shtetin e Uajoming (Wyoming). Sipas rezultateve paraprake, fituesja është një avokate, mbështetëse e Trump. “Nuk e arrita vetë këtë sukses. Natyrisht i jam shumë mirënjohëse Presidentit Trump”, tha Harriet Hageman, fituese e garës.

Cheney ishte një prej 10 republikanëve në dhomën e përfaqësuesve që votuan për impeachment-in e Trump. Ajo është zëvendëskryetare e një komsioni të zgjedhur të dhomës, për hetimin e trazirave të 6 janarit në Capitol.

Mundja e Cheney-t, vjen ndërsa kandidatët republikanë në shumë shtete, janë mohues të rezultatit të zgjedhjeve të 2020-tës. Teksa pranoi humbjen 56-vjeçarja u zotua të vazhdojë betejën e saj edhe pas largimit nga kongresi në janar. “E kam thënë që prej 6 janarit se do të bëj ç’është e mundur për të siguruar që Donald Trump të mos kthehet më kurrë në zyrën ovale”, tha ajo.

Të 10 republikanët që votuan për ndjekjen penale të Trump pasi mbështetësit e tij mësynë kongresin në muajin janar, janë vënë në shënjestër të një fushate të egër hakmarrëse. Deri më tani 4 prej tyre janë dorëhequr dhe 4 janë humbur përballë kandidatëve të zgjedhur nga Trumpnë primaret e Uajoming, Uashington, Miçigan dhe Karolina e Jugut. Vetëm dy kanë arritur të ruajnë vendin e tyre mes garës republikane për rizgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos