Ndezja e “motorëve” të fushatës, Taulla: Partitë politike e kanë nisur me shkelje të Kodit Zgjedhor

Nga A2 CNN
17 Prill 2023, 20:46 | Politikë
Ndezja e “motorëve” të fushatës, Taulla: Partitë

Përjashtuar Partinë Demokratike të Enkelejd Alibeajt që e nis nesër zyrtarisht fushatën, si Partia Socialiste ashtu edhe koalicioni Bashkë Fitojmë e kanë startuar tashmë për betejën e 14 majit.

Përpos faktit që fushata ka nisur prej kohësh nga të dyja kampet, pa respektuar afatet ligjore që parashikohen në Kodin Zgjedhor, Zv/Kryetari i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara identifikon edhe disa shkelje të tjera të Kodit që janë bërë deri më tani.

I ftuar në “Debat” në A2 CNN, Dritan Taulla, u shpreh fillimisht se PS ka përdorur deri më tani burimet institucionale që i gëzon nga drejtimi i qeverisë.

“Kodi Zgjedhor thotë se fushata fillon 30 ditë përpara. Ndërkohë që fushata ka nisur ditë përpara. Në Kondin Zgjedhor nuk është përcaktuar se çfarë përbën egzaktësisht fushatën. Nuk ka sanksione për nisjen e fushatës para kohe. Hapur apo në mënyra të fshehura, partitë politike e kanë shkelur Kodin,” u shpreh ai.

Po ashtu Zv/Kryetari i KRIIK solli në vëmendje se kryeqyteti është gdhirë sot me postera të PS-së. Dhe, sipas tij, 35 ditë përpara zgjedhjeve, kryebashkiaku Veliaj duhej të kishte caktuar publikisht se ku mund të vendosen posterat.

Në faqen e internetit nuk kemi gjetur asnjë vendim të tillë. Posterat vendosen ose aty ku e përcakton kryebashkiaku, ose deri në 5 metra nga zyra zgjedhore. Problem tjetër është se posterat duhet të përmbajnë një indikacion. Duhet të kenë të shkruar ‘hartuar nën përgjegjësinë ligjore të... dhe vendoset emri i subjektit zgjedhor,” shpjegon ai.

Taulla shprehet se tërthorazi, vendosja e atij pohimi pamundëson që palë të treta të krijojnë postera me përmbajtje të tilla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos