
Edhe me zgjidhjen e krizës politike, ndikimi negativ që ajo po jep në ekonomi do të jetë i vështirë për t’u zhbërë. Sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të biznesit në A2 Business Week, shpeshtësia e krizave ul besimin e investitorëve të huaj dhe dëmton imazhin e vendit.
“Njerëzit nuk besojnë të investojnë, nuk besojnë se situata do të përmirësohet dhe se përmirësimi do të zgjasë më shumë se dy vjet. Ne duhet të konsolidojmë sistemin politik”, tha eksperti i çështjeve ekonomike, Panajot Soko.
“Një vendi me imazh të brishtë si Shqipëria në një fushë po aq të brishtë si turizmi i duhet shumë pak që njerëzit të tërhiqen. Njerëzit janë skeptik edhe pa kriza, zgjedhje ka pafund se ku mund të kalojnë pushimet”, vijon Kliton Gërxhani, kryetar i Tur Operatorëve.
Krahas anulimit të rezervimeve në turizëm, kriza po ndikon në frenimin e investimeve nga bizneset dhe në një stepje të konsumit nga qytetarët.
Sipas deputetes së Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ndikimi real i krizës është i vështirë për t’u matur, por nuk duhet të ndikojë në reformat ekonomike, veçanërisht në një vit që parashikohet i vështirë për vendet partnere. (A2 Televizion)