Në takimin e zhvilluar këtë të martë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës është arritur marrëveshja për ndryshimet kushtetuese.
Mësohet se opozita parlamentare ka rënë dakord të votojë më 23 korrik marrëveshjen e 5 qershorit të arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentit, ndërsa në anën tjetër në dokumentin e nënshkruar këtë të martë thuhet se palët do të miratojnë edhe hapjen e listave më 30 korrik, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar.
Por, pas daljes nga takimi, Myslim Murrizi, përfaqësues i grupin demokrat parlamentar, u shpreh se grupi që ai përfaqëson nuk do ta votojnë marrëveshjen e 5 qershorit.
Ai theksoi se në marrëveshjen e sotme me mazhorancën ka lënë shënim se është kundër pikës 1, ku theksohet se më 23 korrik do të votohet në kuvend marrëveshja e 5 qershorit. Edhe deputeti Ralf Gjoni u shpreh se ai do të votojë kundër marrëveshjes së 5 qershorit.
Më herët gjatë së martës, me vetëm 3 vota kundër të opozitës parlamentare, mazhoranca miratoi nen për nen dhe në tërësi në Komisionin e Ligjeve ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kishte dakordësuar me Partinë Demokratike dhe LSI-në, sipas marrëveshjes së 5 qershorit.
(A2 Televizion)

