“Publikimi i pagave, i jashtëligjshëm”, Caslli: Ka forma të tjera për të luftuar informalitetin

Nga A2 CNN
18 Maj 2022, 21:50 | Ekonomi
“Publikimi i pagave, i jashtëligjshëm”, Caslli: Ka forma

Debati publik mbi pagat është rikthyer, 5 muaj pasi databaza me pagat e mbi 600 000 personave u bë publike. Teksa në atë kohë rrjedhja e informacionit evidentoi lehtësinë e aksesimit të të dhënave personale dhe informalitetin e lartë në paga, kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se pagat nuk do të jenë sekrete dhe publikimi i tyre do të bëhet një herë në vit.

https://a2news.com/2022/05/16/rama-berja-publike-e-pagave-mund-te-behet-cdo-vit/

A mund të luftohet kështu informaliteti? Sipas ekspertëve, ka mekanizma të tjera për ta bërë këtë gjë.

I ftuar në “A2 Business” me Aurora Sulçen, eksperti i ekonomisë, Maksim Caslli, deklaroi se “publikimi i pagave është i jashtëligjshëm”.

“Një gjë e tillë shkakton shumë probleme në biznes dhe nuk besoj se do të shkojë deri në fund. Ka forma të tjera për të luftuar informalitetin”, theksoi Caslli.

Niko Lera, drejtor i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, tregoi mënyrat se si ulet informaliteti në ekonominë tonë.

“Informaliteti ulet duke rritur ndërgjegjësimin e punëmarrësve dhe punëdhënësve apo duke forcuar mekanizmat e kontrollit. Ka evazion dhe fshehje pagash, por kemi zhvillime pozitive në këtë fushë”, tha Lera.

Për ekspertin e ekonomisë, Flobenc Dilaveri, “publikimi i pagave është thjesht një spektakël, që njerëzit të shikojnë njëri-tjetrin dhe të merren sa merr njëri e sa merr tjetri, duke harruar qeverisjen”.

“Nuk e kuptoj se çfarë e mire do t’i vinte administrimit fiskal nga publikimi i pagave”, theksoi Dilaveri.

Ndërsa, sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, deklarata e kryeministrit për publikimin e pagave “tërheq vëmendjen nga situata ku jemi, ku kemi probleme shumë të thella me punësimin”.

“Po merremi me batutën e nxjerrjes së pagave në shesh. Paga është politikë e brendshme e çdo kompanie. Përveç pagës minimale të përcaktuar me dhunë nga shteti, çdo sipërmarrës i vendos pagat në bazë të produktivitetit të kompanisë së tij. Kur dalin pagat, krijohet një anomali e brendshme. Gjithashtu, kryeministri po i jep të drejtë tani atyre që e piratuan databazën”, u shpreh Shkodra.

Për ish-zv/ministrin e Financave, Elton Haxhi, “absolutisht nuk duhen publikuar pagat”.

“Nuk jam dakord me këtë ide. Paga i jepet organit tatimor për llogaritjen e kontributeve dhe i jepet në mirëbesim vetëm për këtë qëllim. Nuk mund të bëhet publik ky informacion për qëllime të tjera”, nënvizoi Haxhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos