Ndryshimi i Kushtetutës, BE: Deklarata e Lajçak u keqkuptua

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 15:09 | Kosova
Ndryshimi i Kushtetutës, BE: Deklarata e Lajçak u keqkuptua

Deklarata e përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak, për ndryshimet kushtetuese në Kosovë është keqinterpretuar. Kështu i është përgjigjur Bashkimi Europian, polemikave që gjeneroi deklarata e Lajcak gjatë qëndrimit në Beograd, kur tha se është e logjikshme që Prishtina duhet të ndryshojë kushtetutën për të mundësuar krijimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Por, zëdhënësi i KE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha për Evropën e Lirë se duhet bërë dallimi mes asaj që është “perceptim dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga Lajçak”.

“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues”, tha Peter Stano, zëdhënës i KE.

Stano shton më tej se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar dhe iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo hodhi poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë. Çështja ka çuar në zvarritje të dialogut në Bruksel, pasi Serbia këmbëngul për zbatimin e ujdisë së nënshkruar, në vitin 2013, ndërsa Kosova po e konsideron si çështje të mbyllur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos