
Debati për ndryshimin e sistemit e gjen Partinë Demokratike dhe LSI-në në të njëjtin kamp me Partinë Socialiste. Demokratët thonë se sistemi nuk është problemi kryesor i procesit zgjedhor, por aleatët e PD-së venë në diskutim raportin me partinë më të madhe në opozitë, kur flitet për këtë çështje.
Demokratët thonë se kanë me vete edhe aleatët për të mos ndryshuar sistemin elektoral në ndryshimet që pritet t’i bëjnë ligjit zgjedhor.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë konseguent dhe vazhdon të jetë i tillë, madje i gjithë qëndrimi i opozitës së bashkuar, pasi ditët e fundit janë artikuluar dhe zëra të ndryshëm brenda opozitës së bashkuar të cilët kanë përkrahur këtë qëndrim parimor të Partisë Demokratike. Problemi i sotëm i zgjedhjeve në Shqipëri, lidhet veçanërisht me të meta, ose me keqpërdorim të procesit zgjedhor dhe pa siguruar procesin, nuk mund të kalojmë tek sistemi”, deklaroi Ivi Kaso, sekretar për
Çështjet Zgjedhore në PD.
Por aleatët kanë kushtet e tyre.
“Për hir të zgjedhjeve të parakohshme do ta kapërdijmë çfarë do lloj sistemi, qoftë edhe ky, nuk është më i miri, por mund të jetë mjaftueshëm për të rikthyer një minimum demokracie në Shqipëri. Në qoftë se zgjedhjet do të bëhen në 2021 siç thotë zoti Rama, ky sistem për mua nuk është i vlefshëm”, u shpreh kreu i LZHK, Dashamir Shehi.
Nëse zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhin e as ndryshimi i sistemit gjithashtu, Shehi paralajmëron rishikim të raporteve me aleatin demokrat.
“Nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme edhe ne do t’i rishohim të gjithë pozicionet tona në raport me të gjitha, në radhë të parë në raport me reformën zgjedhore”, shtoi Shehi.
Për kërkesën jo vetem të aleatëve të tyre, por edhe për opozitën parlamentare, demokratët e kanë një përgjigje.
“Sistemi zgjedhor nuk bëhet as për të futur parti në parlament dhe as për të futur individë në parlament, por për të ruajtur ca vlera të tjera për një shoqëri demokratike”, deklaroi Kaso.
Javën e ardhshme opozita do të bëjë publike platformën për reformën zgjedhore. LZHK ka një propozim konkret duke kërkuar rishikim të listave zgjedhore.
“Ta kthejmë listën për rezidentët që janë në Shqipëri, të vijë aty ku i takon 1.9 milionë votues-2 milionë maksimumi. Pjesa tjetër që janë në emigracion, kur duan të vijnë të votojnë, të bëjmë një listë të veçantë”, propozon Shehi.
Për kë i druhet rolit të fortë të liderit të partisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, demokratët hedhin idenë e ndryshimit të ligjit për partitë politike.
“Listat të mos bëhen publike momentin e fundit, por të bëhen publike 6 muaj përpara , fjala që bie. Të mos shkojë vetëm me firmën e kryetarit të partisë. Por firma e tij të jetë e miratuar nga një vendim i Kryesisë ose e asamblesë kombëtare”, deklaroi Kaso. (A2 Televizion)