Pëllumbi: Nuk ka ndërhyrje, Kërtushën e "mbrojti" Dako

Nga A2 CNN
10 Janar 2020, 15:59 | Politikë
Pëllumbi: Nuk ka ndërhyrje, Kërtushën e "mbrojti"

Socialistët deri me 18 janar do të kenë emrat e rinj të kryetarëve të degëve. Mirëpo, ky proces nuk ka kaluar pa hatërmbetje dhe dorëheqje përpara ditës së zgjedhjeve.

Ardit Kërtusha, kandidati për Durrësin i tërhequr nga gara të enjten, nuk ka lënë shije të mirë në selinë rozë.

Arben Pëllumbi, sekretar organizativ dhe i koordinimit elektoral  thotë për A2 se kandidatit për Durrësin ia ka komunikuar vetë vendimin e kryesisë që në kryesinë e dhjetorit, ndërsa vonesën për njohjen zyrtarisht të vendimit, ia faturon shërbimit postar. 

“Në Durrës kanë qenë 4 kandidatura, nga të cilat kryesia ka lënë 2, kryetarin aktual Luan Zaza dhe zotin Ardit Kërtusha. Njoftimi është nisur me postë, dhe për shkak të festave ka ardhur me datë 6 janar, por nga data 24 ose 25 dhjetor ai ka qenë i njoftuar personalisht nga mua”, thotë Pëllumbi.

Deputeti socialist përjashton mundësitë e ndërhyrjes në proces, madje zbulon se Kërtusha ka qenë nën mbrojtjen e ish kryetarit të bashkisë si kandidaturë në kryesinë e dhjetorit.

“Drejtuesi politik i Qarkut, zoti Dako e ka mbrojtur Arditin. Në rast se do të kishte paragjykime, kandidatura do të kishte rënë në kryesi. Arditi është treguar i papjekur në këtë aspekt”, vijoi ai.

Më 29 shkurt socialistët do të bëhen gati për të rinovuar komplet strukturat, dhe kongresi do të sjellë një mandat të ri 4-vjeçar.

Pëllumbi zbulon gjithashtu, se ndryshe nga çdo herë më parë, forumi më i lartë i PS, do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë edhe tërmetit të 26 nëntorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos