
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për shtyp ka treguar dokumentin e Prokurorisë së Athinës, ku, sipas tij, Gjykata e Kiosit e ka dënuar me 3 vite burg kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
“Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Agim Kajmaku, apo Mark Babani, Edi Rama e di se edhe Qerim Ismailaj i Bashkisë së Mallakastrës ka fallsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të largohet menjëherë dhe të shkojë përpara drejtësisë! Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij për Mallakstrën ka probleme me drejtësinë greke, por ai e ka fshehur të vërtetën. Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, por po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke fallsfikuar dokumentat shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit”, tha Bardhi.
“Ashtu sikurse premtova dy ditë më parë, sot do të publikojmë dokumente zyrtare dhe të pakundërshtushme që provojnë se Qerim Ismailaj, është person me rekorde kriminale. Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, shtoi Bardhi. (A2 Televizion)