
Shkeljet e të drejtave të njeriut nga autoritetet bjelloruse, duke përfshirë shtypjen sistematike të protestuesve dhe disidentëve, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit, thuhet në një raport të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat.
Raporti, i cili mbulon periudhën midis majit 2020 dhe fundit të 2022, përfshin një zgjedhje presidenciale të diskutueshme më 9 gusht 2020, që i dha Alexander Lukashenkos mandatin e tij të gjashtë në detyrë, si dhe goditjen brutale ndaj demonstruesve dhe kritikëve.
Shkeljet e përshkruara në raport përfshijnë "përdorimin e gjerë të panevojshëm dhe joproporcional të forcës" nga shërbimet e sigurisë, torturën, arrestimet arbitrare dhe mosndëshkimin, ndër shumë të tjera. Aty theksohet se abuzimet "duket se kanë qenë pjesë enjë fushate dhune dhe represioni" kundër atyre që kritikojnë qeverinë.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Lukashenko, një aleat i vendosur i Rusisë, ka qeverisur ish-vendin Sovjetik me dorë të hekurt që nga viti 1994, duke mbyllur kundërshtarët e tij politikë ose duke i detyruar ata të largohen. Qindra u arrestuan dhe u rrahën nga forcat e sigurisë gjatë demonstratave që u zhvilluan pasi Lukashenko u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një rezultat për të cilin opozita dhe vendet perëndimore thanë se ishte mashtrues. Lukashenko ka mohuar keqbërjen. (A2 Televizion)