
Krimet e tmerrshme ndaj civilëve në Bucha, treguan fytyrën e luftës së Vladimir Putin në Ukrainën fqinje, por autoritetet në Kiev paralajmërojnë se situata në qytete të tjera të çliruara rishtazi nga pushtuesit mund të jetë edhe më e rëndë.
“Kemi informacione se në Borodyanka ka më shumë viktima se në Bucha dhe në fshatrat e çliruara të rajoneve të Kiev, Chernihiv dhe Sumy, pushtuesit i kanë bërë vendasve gjëra që nuk ishin parë as gjatë pushtimit nazist, 80 vite më parë”, tha Zelensky, i cili pritet të flasë sot për Këshillin e sigurimit të OKB-së tha në një deklaratë për televizionet lokale se takimi me Putin mund të mos zhvillohet.
Ushtria ukrainase bëri të ditur se struktura shëndetësore përfshirë një spital pediatrik ishin goditur nga raketat ruse në qytetin e Mykolaiv në Detin e Zi, ku bombardimet vazhdojnë. Flitet për disa të vrarë e të plagosur, përfshirë edhe fëmijë.
Sakaq trupat e tre civilëve të torturuar u zbuluan në Sumy, në zonat që kishin qenë nën kontrollin e trupave të Moskës, deri më 3 prill. Sipas “Think Tankut”, Instituti për studimet e luftës, rusët po përgatiten për një ofensivë kundër qytetit të Slovyansk në një përpjekje për të avancuar më në lindje dhe për të krijuar lidhje me forcat e tjera në rajonin e Donbas.
Vijojnë gjithashtu përpjekjet për kapjen e Mariupol, që pavarësisht ofensivës së pamëshirshme të ushtrisë ruse vijon të mbetet në duart e ukrainasve. Siç thuhet, 7 korridore humanitare janë parashikuar për ditën e sotme, për të evakuuar civilët e bllokuar aty.
Moska pretendon se mbi 1700 vetë janë larguar nga Mariupol gjatë 24 orëve të fundit, pa përfshirjen e Kievit.
Sakaq forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e territoreve kyçe në veri të vendit, duke i mohuar Rusisë aftësinë për të siguruar objektivët e saj dhe duke detyruar ushtrinë të tërhiqet nga zona rreth Chernihiv dhe Kievit. (A2 Televizion)